“Ndaloni autokratët në Ballkan”

“Ndaloni autokratët në Ballkan”

23:15 06/11/2017

Në emër të stabilitetit në rajonin, Brukseli ka mbështetur edhe udhëheqës autokratë në Ballkanin Perëndimor. Por Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë sugjeron se BE duhet të ndërhyjë për të mos lejuar qeverisje të tilla, vetëm në emër të asaj që e kanë cilësuar si “stabilokraci”.

Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizëm i përbërë nga studiues dhe ish zyrtarë të BE-së, kërkon nga BE të shkojë përtej “stabilokracisë” dhe të ndëshkojë udhëheqësit nacionalistë dhe  kleptokratë të Ballkanit Perëndimor. Duke përmendur qeverisjen e gjatë autokratike të Gruevskit, theksohet se pa ndërhyrjen amerikane situata e autokracisë mund të vijojë edhe në shtete të tjera të rajonit.

Në pjesën për Shqipërinë, thuhet se “

Shqipëria ka një ndarje të thellë politike, ku politika dhe marrëdhëniet mes klaneve ndërlidhen në një marrëdhënie ndëshkimi dhe korrupsioni. Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave ka lulëzuar në këtë mjedis. Në vend të marrë masa për këto dështime të qeverisë së tij, thuhet me tej ne shkrim, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka përkeqësuar gjendjen duke u përpjekur të trembë me projektin e Shqipërisë së Madhe, dhe duke ushqyer kështu idetë për ndarjen e Maqedonisë”.

Studiuesit evropiane theksojnë se nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ruajë stabilitetin dhe ndikimin në oborrin e vet të trazuar, do të duhet të ri-angazhohet me Ballkan pasi Rusia, Turqia dhe Kina po forcojnë influencën e tyre.  

Korrupsioni dhe papunësia, sidomos tek të rinjtë, kanë ndikuar që njerëzit të kenë shpresa shumë të vogla për të ardhmen e tyre. Dyzet e tre përqind e shtetasve të Ballkanit Perëndimor kanë konsideruar të emigrojnë diku tjetër. Vetëm 39 përqind e publikut në rajon vazhdojnë të shohin anëtarësimin në BE si një gjë të mirë për ekonomitë e tyre.

Burimi: Klan Plus

Gazetar: Vladimir Lame




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi