Opinion – Eliminimi i 71-vjeçarit/ Erion Veliaj/ Hashim Thaçi


Opinion – Eliminimi i 71-vjeçarit/ Erion Veliaj/ Hashim Thaçi

Autori: Blendi Fevziu

20:57 24/09/2020

Ekskluzive/ Opinion publikon pamjet e vrasjes së Lefter Zhidru

Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka publikuar pamjet ekskluzive të vrasjes nga RENEA të 71-vjeçarit Lefter Zhidru. Gazetari Spartak Koka ka qenë në Elbasan, ku ka ndjekur nga afër aksionin e forcave speciale.

Në pamjet e siguruara nga gazetari Spartak Koka dhe të transmetuar në emisionin “Opinion”, duket trupi i pajetë i 71-vjeçarit Zhidru i shtrirë në tokë pas ndërhyrjes brenda banesës së forcave RENEA.

Sikurse duket në këto pamje, pranë trupit të pajetë të viktimës është dhe arma e zjarrit tip kallashnikov, me të cilën Lefter Zhidru qëllonte pa pushim prej 5 orësh ndaj policisë.

Brenda banesës së 71-vjeçarit, RENEA gjeti sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritol të lidhura me fitil zjarrpërcjellës. 

Aksioni i RENEA-s për të ndërhyrë brenda banesës së 71-vjeçarit ka ndodhur rreth orës 18:00. Forcat speciale shpërthyen me eksploziv derën kryesore të apartamentit dhe më pas hodhën gaz lotësjellës dhe tymuese.

71-vjeçari qëlloi me armë gjatë këtij momenti, ndërsa RENEA u kundërpërgjigj me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Lefter Zhidru. Ndërsa asnjë prej forcave policore nuk u plagos.

Artan Hoxha: Është shmangur një tragjedi, Lefter Zhidru kishte municione në banesë. Rrezikoi jetën e policëve

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar detaje në lidhje me operacionin e Elbasanit, ku një 71-vjeçar terrizoi qytetin për më shumë se 5 orë. Hoxha tha se sot RENEA dhe e gjithë Policia ka shmangur një tragjedi të vërtetë, pasi në banesë kishte 6 kapull dinami dhe kapsolla.

Ka qenë shumë e rëndësishme ndërhyrja e forcave RENEA. Ndërhyrja e Policisë ka shmangur sot një tragjedi të vërtetë. Në banesën e Lefter Zhidrut janë gjetur 6 kallupe dinamiti me kapsolla brenda. Po ashtu janë gjetur dhe disa tela për lidhje dinamiti dhe mund të ishin përdorur. Këto nuk ishin të përgatitura por ai i ka bërë të gjitha gati sot gjatë pasdites. Ai duket se është një njeri i stërvitur dhe ka njohur për armët”, tha Hoxha.  

Më tej Hoxha u shpreh RENEA ka pasur informacione të pakta për Zhidrun dhe ndërhyja ka qenë e vështirë. “Në momentin që RENEA ka shkuar në banesë nuk ka pasur informacion se çfarë kishte në banesë, nuk kishte planimetrinë e banesës. RENEA më pas është ngjitur në katin e tretë dhe ka parë planimetrinë, dera e banesës ishte e vjetër se qitja e kallashnikovit ka depërtuar deri tek mburoja e RENEAS”, shtoi gazetari.

Artan Hoxha ka treguar dhe të gjithë operacionin e policisë, që nga negociatat e deri tek ndërhyrja për ta vrarë.  

RENEA ka hyrë në negociata dhe kur ai po fliste me policinë ai ndiqte lajmet në televizionet informative dhe dëgjonte të gjtha ato që ndodhnin jashtë dhe gjërat që thonin për të. RENEA më pas ka vendosur që ndërpresë energjinë elektrike dhe i ka vendosur tre snajpera për ta pasur në shënjestër. RENEA donte që ta lodhte dhe ta kapte të gjallë, por kur u afrua mbrëmja dhe negociatat ishin shumë të vështira, e kishin marrë nga Gjermania dhe Greqia. Por kur e panë që ai nuk po dorëzohej, i është hedhur granata tymuese por ai sërish nuk u dorëzua. Kishte marrë një peshqir me ujë për të shmangur tymin. Ai po ashtu për t’u mbrotjur kishte vendosur dhe lavatricen tek dera kryesore për t’u mbrojtur nga plumbat”, shtoi më tej.

Në fund gazetari tha se Lefter Zhidru është goditur me një plumb në kokë me spajper. “Lefter Zhidru është goditur me një plumb në kokë nga një snajper që ishte pozicionuar që me herët. Në shtëpi nuk janë futur trupat RENEA, por është futur njëherë qeni për të parë nëse Zhidru ishte i vdekur apo i plagosur. Ai ka hedhur një kapsollë me dinamit, por për fat të mirë nuk plasi”, tha gazetari.

Gazetari Salliu: Zhidru është zënë me bashkëshorten për xhelozi


Mendohet se ka pasur probleme xhelozie me bashkëshorten dhe janë ngirtur shpesh kohët e fundit. Sot debati mes tyre është agravuar dhe ka ndodhur e gjithë ngjarja e sotme”, tha ai. Po ashtu Salliu tha se deri tani mendohet vetëm pista e xhelozisë.  

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se ku ka qëndruar bashkëshortja dhe vajza e tij pasi janë larguar nga banesa për shkak të dhunës.

Gjatë ditës së sotme kanë ndenjur në drejtorinë e Policisë nën kujdesin e  psikologëve. Dy djemtë e plagosur janë në spital nën kujdesin e mjekëve”, tha gazetari.

Erion Veliaj: Përse PS kërkon mandat të tretë qeverisës

Kryebashkiaku socialist i Tiranës ka argumentuar përse Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë qeverisës. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Veliaj është shprehur se PS ka ende punë ta pëpërfunduara.

“Kemi pafund punë për të bërë. Tërmeti nuk ra kur filloi mandati, tërmeti ra vjet. Në Tiranë kemi 2 lagje për të bërë, një lagje në Kombinat, një lagje te Bregu i Lumit”.

Veliaj është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu si e shpjegon rënien e votave ndaj tij në vitin 2017 në krahasim me vitin 2015. Por edhe në këtë pikë, kryebashkiaku Veliaj ka një shpjegim.

“Në zgjedhjet e 2015 unë kam marrë 163 mijë me PDIU dhe me LSI në koalicion, nga të cilat 108 mijë ishin të PS. Ndërkohë në këto zgjedhje 155 mijë pa PDIU dhe pa LSI. Zgjedhja për të kandiduar vetëm edhe kësaj here është një zgjedhje që do shpërblehet”.

Sa i përket zërave nëse mes tij dhe Kryeministri Edi Rama ka mosmarrëveshje, Erion Veliaj u shpreh: “Shpresa e fundit është që një ditë imagjinare unë dhe Edi Rama nuk do shkojmë. Unë besoj që janë më të mira sot se dje”.  

Përse ka trafik në Tiranë? Veliaj: Kemi punë që duhen bërë

Trafiku në Tiranë është kthyer në një shqetësim gjatë javëve të fundit. Qyterarët janë ankuar shpeshherë për këto rrugët e tejmbushura nga automjetet.

Për këtë fenomen shqetësues, është pyetur vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan tha se shkak i trafikut janë punimet që po kryhen në disa rrugë. Një ndër to është edhe rruga e Durrësit.

Arsyeja pse ne kemi trafik është se janë punë që duhen bërë. Të ndërrosh një kanalizim që nuk ishte bërë që në kohën e Zogut. Çfarë ndodh? Tirana ka një pendencë 3%. Vjen tubacioni 120 dhe futet në një tubacion më të vogël 80. Pra kishe derdhje të ujit dhe rruga e Durrësit nuk shkarkonte. Janë punë për t’u bërë. Do e çash rrugën për 45 ditë. U bë vitin e parë “Dritan Hoxha”, kolektori kryesor. U bë vitin e dytë rruga e Elbasanit, u bë Kombinati, tani i kishte ardhur koha rrugës së Durrësit”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj. 

Erion Veliaj: Dorëhiqem nëse uji në Tiranë është më i shtrenjtë se Pogradeci dhe Korça

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se 70% e territorit të kryeqytetit ka ujë 24 orë në ditë. Ndërsa për pjesën tjetër të territorit që nuk mbulohet ende me këtë furnizim, kryebashkiaku thekson se do ta mbajnë premtimin e bërë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Erion Veliaj ka folur edhe për çmimin e ujit në Tiranë. Në këtë pikë, ai ka hequr bast se çmimi i ujit në kryeqytet është më i lirë se në Korçë, Pogradec dhe Kamzë.

“Për çështjen e çmimit, është më i lirë se në Korçë, është më i lirë se në Pogradec, madje është më i lirë se në Kamzë. Në Kamzë është 67 Lekë. E ka ujin në pjesën më të madhe 24 orë, dhe prapë paguan më pak se Kamza dhe sa gjysma e Korçës dhe Pogradecit. Nëse çmimi i ujit nuk është më i lirë se Pogradeci dhe Korça, unë jap dorëheqjen si kryetar Bashkie. Është sa gjysma”.

Ndërkohë që pak minuta më vonë, gazetarit Blendi Fevziu i mbërriti një SMS në celular, ku e njoftonin se Pogradeci nuk ka ujë më të shtrenjtë se Tirana, ndërsa Korça ka ujë 24 orë në ditë në të gjithë terrotorin e saj në ndryshim nga kryeqyteti.

Kryebashkiaku Veliaj u përgjigj duke thënë se Korça është një qytet me madhësi sa vetëm një njësi administrative në Tiranë.

“Korça është e vogël se Njësia 5. Se nuk po flasim për qarkun, po flasim vetëm për një qytet. Korça është më e vogël se Njësia 5. Më lër mua vetëm kryetar bashkie të një Njësie, të bllokut, edhe e qaj unë Njësinë 5. Qëllon që detyra ime është pak më komplekse. Ajo që po është që çmimi në Korçë mundësoi ujin 24 orë. Unë se kam bërë 110 lekë sa Korça, por është më i lirë se Kamza dhe prapë 70% kemi pasur sukses”.  

Thaçi flet për dosjet e Speciales: Për çfarë u pyeta në Hagë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë sot i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Thaçi në një intervistë me gazetari Blendi Fevziu ka folur për dosjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti komentoi rrjedhjen e dosjeve nga Prokuroria Speciale dhe tha se duhet pritur që të flasin autoritetet kompetente për këtë çështje.  

Unë mendoj se është një lajthitje. Nuk dihet vërtetësia e dokumenteve. Duhet kohë që autoritetet kompetente të thonë fjalët e tyre, unë mendoj se deri sa të vërtetohet se janë origjinale dhe të vërteta apo rrjedhje të gjykatës duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Thaçi.

Thaçi foli dhe për pyetjen e tij në Hagë dhe shtoi se nuk ishte pyetur për këto dokumente. “Nuk është e lehtë që janë materiale të gjykatës speciale. Unë kam qenë katër ditë intervistim në Hagë dhe unë nuk janë i ballafaquar me këto gjëra”, shtoi ai.

Më tej presidenti u shpreh se Hagë është pyetur që nga dita që është lindur dhe për të gjithë aktivitetin jetësor.

Unë nuk mund të flas pasi janë gjëra konfidenciale. Jam pyetur për tërë aktivitetin tim jetësor, politik të luftës. Jam pyetur prej ditës që kam lindur. Është narrativa që bëhet për personin që kanë në hetim”, tha Thaçi.

Thaçi: Dorëhiqem si President i Kosovës nëse vërtetohen akuzat

Presidenti i Kosovës Hashim deklaron se do të japë dorëheqjen nëse vërtetohen akuzat e Gjykatës Speciale të Hagës për krime lufte ndaj tij.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, në intervistën përballë gazetarit Blendi Fevziu, Thaçi është shprehur i vendosur në qëndrimin e tij.

Blendi Fevziu: Nëse konfirmohet akuza, do të jepni dorëheqjen si President?

Presidenti Thaçi: Natyrisht se po!

Presidenti i Kosovës është pyetur edhe nëse akt-akuza e bërë publike pak ditë përpara vizitës së tij në Uashington, Hashim Thaçi u shpreh se nuk ka fakte të tilla.

Nuk kam ndonjë fakt, mirëpo është prerë rruga ime për një marrëveshje në Uashington. Rruga më është prerë, por marrëveshja përfundoi, u krye. Roli i SHBA është i pazëvendësueshëm në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë”. 

Thaçi flet për idenë e bashkimit kombëtar: Të bëhet me referndum

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur për idenë e bashkimit kombëtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti u shpreh se kjo është “një ëndërr e të gjithë shqiptarëve që të jetojnë në një territor”, dhe shtoi se një ditë mund të ndodhë.

Më tej kreu i shtetit tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar me flamurin kombëtar, janë bërë beteje me flamurin kombëtar dhe janë marrë vendime të rëndësishme me flamurin kombëtar.

Ai shtoi se bashkimi kombëtar duhet të ndodhë me referendum, ku të jetë populli ai që të vendosë dhe jo politika, pasi nuk ka besim tek kjo e fundit.

Për sa i përket bashkimit kombëtar, unë mendoj se nuk mund të vijë me anë të qeverive. Por duhet bërë një referendum andej e këndej, ku qytetarët duhet të vendosin”, u shpreh Thaçi. /tvklan.al



Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:57 24/09/2020