Opinion-Sali Berisha flet për vrasjen e Azem Hajdarit!


Opinion-Sali Berisha flet për vrasjen e Azem Hajdarit!

Autori: Blendi Fevziu

22:00 28/09/2020

Sali Berisha: Pse nuk jam thirrur asnjëherë nga prokuroria për vrasjen e Azem Hajdarit

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka sqaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se pse nuk është thirrur asnjëherë nga prokuroria apo gjykata për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

Berisha u shpreh se në momentin e ngjarjes, ai ka qenë në zyrë dhe nuk ishte dëshmitar okular i vrasjes së Hajdarit. Ish-kreu i qeverisë u shpreh se ka zhvilluar asokohe me dhjetëra konferenca ku ka denoncuar fakte në lidhje me atë që e quan si vrasje shtetërore.

Kush e nxori në pritë Azem Hajdarin?

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se Azem Hajdari u nxor në pritë nga Fatos Klosi, në atë kohë kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Azem Hajdari ishte një njeri që mbrohej, ishte një njeri që lëvizte në atë kohë me makina. Si shpjegohet që Azem Hajdari doli nga selia dhe eci në këmbë në një drejtim të panjohur, kur ai nuk lëvizte nga makina? Dhe nga Rogneri makina afrohej në derë për ta marrë. Kush e nxori në pritë Azem Hajdarin?

Në pritë po të më pyesësh mua, e nxori Fatos Klosi.

Po si e nxori Fatos Klosi?  

Kurth…

Po kurthin, kush ishte personi që i ngjalli besim që ai të dilte në këmbë dhe të bënte 100 metra?

Në deklaratën time është thënë personi i cili më erdhi në zyrë dhe më tha: Unë e vrara Azem Hajdarin. Jo më i thashë, çfarë flet. Ishte i shfazuar… Sepse kështu më ndodhi tha, më mori në telefon filani më tha thuaji Azemit që është një makinë, diku aty. Po mirë i thashë unë, nuk ke vrarë ti… ai ishte i tronditur. Ky ishte një militant i PD. Aty kuptova, që kurthin e tillë e organizoi, e serviri Shërbimi. Kishte një radio të Shërbimit Informativ, në makinën nga e cila dolën vrasësit.

Rudina Hajdari rrëfen momentet e fundit me të atin: Premtoi se…

Rudina Hajdari ka rikujtuar gjatë emisionit “Opinion” momentet e fundit me babain e saj, Azem Hajdarin, pak orë përpara se të vritej mbrëmjen e 12 Shtatorit.

Deputetja opozitare ka treguar se takimi i fundit me të atin ka qenë në një lokal. Ajo rrëfeu se sëbashku me vëllain dhe të ëmën e prisnin në shtëpi pasi u kishte premtuar se do të kthehej për darkë kur morën vesh lajmin e rëndë.

“Siç u dokumentua kemi qenë në selinë e PD-së bashkë me familjen, me mamanë dhe vëllain, ndoshta një orë përpara se të ndodhte ngjarja. Kemi qenë në një lokal përballë selisë së PD-së ku kemi bërë një takim në një kafe dhe babi atë ditë ishte goxha euforik, shumë i lumtur, kishte dalë nga një miting në Fier dhe po tregonte ngjarjen mes nesh. Unë isha fare e vogël, por e mbaj mend entuziazmin e tij. E mbaj mend që e ndante me mamanë. Ishte gjithë kohës duke na përqafuar dhe duke e treguar si ngjarje. Ishte një moment familjar dhe i bukur. Kur u ndamë ai donte të shkonte në zyrë për të ndjekur lajmet. Unë iu bashkova atij dhe më mori hopa. Shkuam drejt zyrës së tij dhe patëm një moment si përplasje me policinë në ato momente dhe në retrospektivë e mbaj mend si ngjarje. Gjithsesi kur u ndamë, po e prisnim në shtëpi pasi premtoi që do vinte të hante darkë me ne. Po e prisnim në shtëpi. Ndoshta momenti kur ndodhi ka qenë një moment i vështirë në të gjithë Tiranën, çdo njeri e ka përjetuar në mënyra të ndryshme. Nuk ka njeri që nuk më ka thënë që çdo gjë ndaloi atë ditë. Për ne ishte një moment shumë i vështirë”. 

Skema e vrasjes së Azem Hajdarit

Ky është një rindërtim i animuar i vrasjes së Azem Hajdarit. Azem Hajdari ka dalë nga hyrja kryesore e selisë së Partisë Demokratike dhe është nisur në të majtë, aty ku i kishin thënë se ishte makina ku e prisnin disa persona. Pasi del nga selia Azemi rrethohet nga dy truproja. Fillimisht në të majtë të tij vendoset Besim Çerja dhe më pas në të djathtë Zenel Neza.

Të tre i afrohen trotuarit ku tashmë gjendet memoriali për ngjarjen. Në takim fillimisht shkon Fatmir Haklaj i cili pasi zbret nga makina nga vendi i shoferit afrohet me një kallashnikov në duar. Më pas në të djathtë të tij supozohet të jetë afruar Jaho Mulosmani dhe në të majtë Naim Çangu, që të dy të armatosur. Në këto momente Besim Çerja, badigardi i vendosur në anën e majtë të Azem Hajdarit bllokon armën e Fatmir Haklaj duke ia kapur fortë me të dyja duart.

Drejtimi i tytës së kësaj arme shihte në krahun ku gjendej Zenel Neza dhe Naim Çangu dhe nga e djathta në të majtë të Fatmir Haklaj, kur sheh se Fatmirit i bllokohet arma Jaho Salihi afrohet dhe qëllon me një pistoletë 9mm pothuaj me puqitje në kokë Besim Çerjen. Këtu ndodh një fenomen i rrallë, edhe pse i vdekur Besim Çerja vazhdon të mbaj të bllokuar armën e Fatmir Haklajt sa duket kjo ishte komanda e fundit e dhënë nga truri. Në dëshpërim e sipër Fatmir Haklaj tërheq këmbëzën e kallashnikovit duke realizuar qitje të pakontrolluara.

Plumbat e parë mendohet se kanë kapur dhe rrëzuar përtokë truprojën tjetër Zenel Neza dhe më pas edhe Naim Çangun, mikun e vrasësve. Dikur Fatmir Haklaj e shkëput armën nga duart e Besim Çerjas dhe menjëherë më pas bashkë me Jaho Mulosmanin ata qëllojnë mbi Azem Hajdarin që bëhet viktima e fundit e atentatit. Plumbi i parë e ka kapur Azem Hajdarin në dorë, të cilën duket ai e ka ngritur instiktivisht për t’u mbrojtur.

Berisha: Ju rrëfej marrëdhënien time me Azem Hajdarin

Ish-Kryeministri Sali Berisha, në një lidhje direkte në emisionin “Opinion”, foli për marrëdhënien e tij me Azem Hajdarin, për të cilën tha se kishte qenë e shkëlqyer. Akuzat e së majtës se ka pasur dorë në zhdukjen e tij, Berisha tha se janë akuza që vijnë nga persona që duan të mbulojnë krimin e kryer.

Zoti Berisha ka pasur akuza që dhe ju keni pasur dorë në zhdukjen e Azem Hajdarit, për arsye të raporteve të tensionuara që keni pasur më parë me të. Ju ka akuzuar gjithmonë e majta për këtë çështje.

Këta janë akuza të atyre që duan të mbulojnë krimin e shëmtuar që kryen. Unë marrëdhëniet me Azem Hajdarin i kam patur nga më të shkëlqyerat. Azem Hajdari ka qenë Azem Hajdar, domethënë ka qenë njeriu më i pavarur që mund të ekzistonte në politikën shqiptare. Por luajaliteti i tij ndaj njëri-tjetrit, ka qenë i përsorur në çdo kohë.



Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:00 28/09/2020