Uniko – Vdekja misterioze e 16-vjeçares shqiptare në oborrin e kishës në Greqi


Uniko – Vdekja misterioze e 16-vjeçares shqiptare në oborrin e kishës në Greqi

21:53 20/07/2020

Emisioni “Uniko” ka trajtuar ngjarjen e rëndë që ka përfshirë familjen shqiptare Hyseni në Greqi. Njëra nga vajzat e familjes, 16-vjeçarja Maria Hyseni, u gjet e vdekur në rrethana misterioze në orët e para të mëngjesit të datës 15 Korrik 2020. Trupi i pajetë i adoleshentes u konstatua në sheshin përpara një kishe në periferi të qytetit të Trikallas.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjarët dhe të afërmit e Marias, por edhe komunitetin grek të zonës ku jeton familja Hyseni. Deri në këto momente vdekja e 16-vjeçares shqiptare konsiderohet misterioze për shkak të rrethanave dhe dinamikës që ka ndodhur. Në mediat greke fillimisht u përfol se Maria mund të kishte kryer vetëvrasje.

Por prindërit Rolandi e Valbona, si dhe motra binjake e dy vëllezërit e 16-vjeçares, e mohojnë kategorikisht këtë variant, duke u shprehur të bindur se vajza dhe motra e tyre nuk ka vrarë veten. Ata pretendojnë se 16-vjeçarja është vrarë dhe kërkojnë të gjendet fajtori. Nga ana tjetër, hetuesit grekë kanë gjithashtu dyshime se vdekja e Marias mund të jetë ngjarje kriminale.

Sipas të dhënave të para hetimore që kanë dalë, një tjetër pistë është se 16-vjeçarja shqiptare mund të jetë shtyrë nga lartësia duke e hedhur nga çatia e kishës.

Për të mësuar më shumë detaje rreth vdekjes së Marias, ne si emision jemi vënë në lëvizje dhe kemi kontaktuar me të afërm të viktimës. Gazetarja Enxhi Kosturi ka biseduar me gjyshen e Marias, 74-vjeçaren Dodona Hyseni. Në intervistën që ka dhënë për emisionin “Uniko”, gjyshja e 16-vjeçares shqiptare ka rrëfyer si e mësoi lajmin e kobshëm që mbesa e saj nuk jeton më. /klanplus



Të ngjashme